Edicioni i parë i “Power to HR” u organizua në mënyrë tejet të suksesshme, duke mbledhur 350+ profesionistë të Burimeve Njerëzore në një vend. Shkëmbimi i përvojave globale e atyre lokale në fushën e BNj bën që të nxirren perspektiva të ndryshme dhe pjesëmarrësit të dalin nga “Klan Arena” me një energji krejtësisht ndryshe. “Power to HR”, ishte temë e diskutimit mes profesionistëve të “Power to HR” jo vetëm më 23 shkurt, por edhe shumë ditë tutje! Tash ka ardhur koha të flasim për shumë befasi të “Power to HR 2”, por tu kthehemi pak kujtimeve se çfarë e bëri edicionin e parë kaq të veçantë!
Power to HR – Një arenë interaktive e shumë të qeshura
Nën moderimin e Lulzim Bucollit – ngjarja me nuanca humori bëri audiencën të mos ndihet e papërqendruar dhe shpesh si përgjigje e vëmendjes ishin dhe të qeshurat. Pyetjet e bën “Power to HR” një arenë interaktive ku audienca për herë të parë kishte mundësi të merrte përgjigje nga profesionistë të fushës.
Tema të spikatura, folës të zgjedhur
Përvoja nga jashtë dhe ato nga brenda krijuan një reflektim të përgjithshëm mbi këtë fushë. “Power to HR” kishte të ftuar si folës kryesorë Ish-menaxherin e rekrutimit në META, Serdzan Arnautovic, themeluesen e “BBC Academy”, Anne Morrison dhe Hava Maloku – menaxhere e lartë e marketingut digjital në kompaninë “LinkedIn”. Emrat më të zgjedhur të fushës së BNj në Kosovë ishin pjesë e dy paneleve. Diskutimi na mësoi se si të përballemi me ndryshimet në këtë fushë, si t’i mbajmë talentet dhe si ta krijojmë një ambient pune në të cilin çdokush do të punojë.
Krejt HR-at në një vend
“Krejt HR-at” në një vend ishte edhe synimi i edicionit të parë. Kjo u arrit pasi që 90% e pjesëmarrësve ishin nga fusha e HR-it. Tash, këta profesionistë kanë një adresë ku mund të shprehin gjithë përvojat dhe të takojnë njëri-tjetrin!
Kafe, muzikë e shumë biseda për të zgjeruar rrethin
Pauzat e kafesë e koha e drekës e gjitha në një ambient që i ndanë vetëm një mur nga konferenca ku diskutohet pothuajse çdo temë u shoqërua me takime të shumta, shkëmbime përvojash e diskutime për risitë që solli edicioni i parë. Ishte mundësi ideale për të takuar për herë të parë kolegët nga fusha e HR-it, por edhe për tu përditësuar me më të rejat e kolegëve që tashmë njiheshin!
Përshtypjet e pjesëmarrësve
Gjithë këto përvoja i përmbledhin më së miri përshtypjet e disa prej pjesëmarrësve nw “Power to HR 1”.
Roksana Reçica – Cydeo: “Power to HR ishte përvojë transformuese në këndvështrimin tim të BNj. Ky event përfshinte shumë njohuri të reja rreth BNj si dhe më ka bërë të mendoj më shumë për mënyrën se si t’i qasem pozitës time. Ky event kishte për qëllim se si të përshtatemi dhe të përsosim aftësitë tona në industrinë e BNj.
Verona Hasani – Manaferra: Unë pata privilegjin të marr pjesë në Samitin Global të BNj në Kosovë dhe dhe ishte një përvojë e pabesueshme.. Folësit kryesorë ishin frymëzues dhe diskutimet e panelit ishin të thellë dhe nxitëse. U largova nga samiti duke u ndjerë energjike dhe e emocionuar për të ardhmen e BNj. Faleminderit organizatorëve për organizimin e një ngjarje kaq fantastike! Dhe një falënderim të veçantë sigurisht që meriton Hava Maloku, DBA që erdhi nga SHBA për të na frymëzuar. KosovaJob ju meritoni një duartrokitje të madhe!
Rina Cukaj – Neptun: “You can’t make a first impression twice” (Nuk mund ta lësh përshtypjen e parë dy herë) e filloj me këtë fjali përshtypjen nga Power To HR, pasi te ne ndikimi filloi që në mikpritje, ku pritshmëritë dhe kureshtja veç u shtua mbi atë se çfarë do na prezantohej tutje. Në panel u zhvilluan një varg diskutimesh duke nxitur komunikimin dhe shkëmbimin e përvojave mes profesionistëve të fushës të cilët me modestinë maksimale shtonin vlerë përmes shembujsh që përmendnin dhe direktivave që përcillnin.
Nga të gjitha aktivitetet si të e veçantë e dallojmë performancën artistike që zhvillohej paralelisht gjatë prezantimeve të caktuara dhe padyshim moderimi i mrekullueshëm plotë gjallëri, entuziazëm dhe pozitivitet.
Bindshëm shprehemi që një samit i tillë përbën një ndikim të thellë në komunitetin tonë, krijon rrjet të fortë njerëzish mes organizatave madje edhe individëve nga kultura të ndryshme, tutje krijon një frymë bashkëpunuese e cila ndihmon zhvillimin e projekteve te përbashkëta të cilat padyshim i shtuan vlerë punës dhe shoqërisë sonë!
Narona Ahmeti Daci – The Headhunter Group: Ka qenë tepër kënaqësi të jemi pjesë e eventit “Power to HR” të organizuar nga KosovaJob. Gjithashtu ishte kënaqësi të takonim Serdzan Simsek Arnautovic nga Meta dhe Anne Morrison nga BBC. I kemi shijuar në maksimum prezantimet e tyre dhe kemi mësuar shumë nga ato.
Manushaqe Gashi – GDS Group: Samiti PowerToHr është ajo çfarë i ka munguar industrisë së Burimeve Njerëzore në Kosovë, organizimi ideal për të zgjeruar horizontin tuaj të njohurive dhe për të qëndruar të informuar me trendet e reja. Gjithashtu ishte një mundësi shumë e mirë për rrjetëzim me persona të fushave të ndryshme.
Zamira Kabashi – Devolli Group: Power to HR ka qenë një super-organizim me mysafirë dhe panelista të jashtëzakonshëm. Një duartrokitje të madhe për KosovaJob dhe ekipin e tij, për krijimin e këtij eventi i cili i ka munguar vendit por jo më shpresoj. Shumë krenare që një organizim i tillë është krijuar nga një kompani vendore, staf dhe drejtues kosovar, i cili është organizuar në Kosovë dhe i ka shtuar fushës së Burimeve Njerëzore edhe më shumë vlerë. Kënaqësia më e madhe pa dyshim ka qenë të jemi në mesin e kolegëve dhe profesionistëve të fushës dhe të ndajmë njohuritë dhe eksperiencat tona, prej të cilëve secili kur kemi dal nga aty kemi marr e kemi dhënë diçka.