Kaltrina Llonçari ka një pasion të jashtëzakonshëm kur flet për fushën njerëzore dhe gjithë përvojat që e kanë formësuar rrugëtimin e saj. Ajo punon si HR Business Partner në Mercedes Benz Financial Services Benelux. Edicioni i dytë i “PowerToHR” e sjelli në Kosovë për të ndarë përvojën e saj dhe udhëzimet në këtë fushë dhe në një intervistë ka treguar për gjithë rrugëtimin e saj profesional dhe si e sheh fushën e Burimeve Njerëzore në Kosovë.
Kaltrina, së bashku me familjen u largua nga Kosova në fund të viteve ’90 për tu vendosur fillimisht në Gjermani e pastaj në Belgjikë ku gjetën një ngrohtësi më të madhe të komunitetit shqiptar.
“Kam qenë ‘fëmijë’, dmth i kam pasur 12 vjet dhe besoj që integrimi për mua në Belgjikë ka qenë më i kollajshëm se për prindërit e mi pasi që ata e kanë lënë prapa gjithë jetën që e kanë krijuar në këtë vend dhe mund të them që shumë shpejt jam integruar, shumë shpejt e kam mësuar gjuhën sepse mendoj që si fëmijë e kemi më të lehtë të adaptohemi në një vend se sa dikush që e ka lënë vendin e vetë jo për arsye që kanë dashur vetë, por sepse kanë qenë të sforcuar”, ka treguar Kaltrina duke shtuar se gjithmonë është përpjekur ta shoh anën pozitive të të jetuarit në Belgjikë.
Fillimisht, Kaltrina kishte synuar të studionte gazetarinë në mënyrë që të mund të çonte historinë e Kosovës kudo në botë. Por, ky nuk ishte profesioni i destinuar për të.
“Nuk kam qenë një person që e kam ditur saktë se çfarë dua të studiojë. Kam dashur ta studioj gazetarinë sepse periudha e luftës më ka ndikuar shumë si fëmijë dhe kam pasur dëshirë ta tregojë historinë e popullit të Kosovës. Atëherë kam thënë që gazetaria është mënyra më e mirë për ta bërë atë, por nuk e kam gjetur veten në atë profesion”, ka shtuar ajo.
Përvoja në ‘Komisionin Evropian’ dhe rruga drejt ‘Mercedes’-it
Kaltrina është e përkushtuar për të mbajtur marrëdhënie pozitive njerëzore brenda mjediseve të vendit të punës. Ajo është e pasionuar pas krijimit të mjediseve ku punonjësit lulëzojnë dhe kontribuojnë në suksesin e përgjithshëm të kompanisë. Duke u fokusuar në zhvillimin e talenteve, komunikimin efektiv dhe iniciativat për mirëqenien e punonjësve, ajo kontribuon në rritjen dhe suksesin e përgjithshëm të organizatës.
Në vitin 2008, ajo i fokusoi studimet e masterit në fushën e Burimeve Njerëzore, por që e hulumtoi paraprakisht dhe e tërhoqi për vet faktin që ishte një drejtim multidimensional, qoftë aspekti ligjor, rekrutimi dhe mënyrës se si funksionon një kompani. Para se të niste punën në Mercedes, ajo kishte pasuruar protofolion e saj me përvojë edhe në dy kompani të tjera, përfshirë edhe punën në Komisionin Evropian.
“Kam pasur një eksperiencë tjetër në dy kompani tjera; e para ka qenë organizatë internacionale, në Komision Evropian. Aty kam punuar një periudhë të shkurtër- në departamentin e BNj dhe ka qenë shumë eksperiencë e mirë sepse ishte në kontekst internacional. Rrugëtimi im profesional ma ka dhënë mundësinë që të mësojë disa gjuhë, i foli 6 gjuhë dhe ka qenë shumë eksperiencë interesante që të mund të punoj në një organizatë si Komisioni Evropian, por nuk ka qenë një kontekst ku e kam ndjerë veten mirë dhe kam pasur mundësi të zhvillohem shpejt”, është shprehur tutje ajo.
Përvoja e saj rreth 6-vjeçare lidhej me konsultimin në praktikat e Menaxhimit Global të Talentëve dhe duke reflektuar në eksperiencat nga Korporatat Multinacionale. Dhe më pas ishte hapi për të ndryshuar karrierën e saj ku edhe u pranua te Mercedesi, ku punon tash e gjashtë vjet.
“Kam aplikuar te Mercedesi, i cili ka qenë një nga klientët e mi. Ata e kanë ditur punën time, kompetencat, talentet që i kam dhe ja ku jam që gjashtë vjet këtu. Mercedesi është një kompani gjermane ku disiplina është shumë e rëndësishme dhe duhet të jesh i disiplinuar në punë dhe duhet ta dëshmosh që je një person që i respekton rregullat. Përndryshe çfarë unë e vlerësoj dhe mendoj që është shumë e rëndësishme është të jesh kurioz. E kam studiuar para 13 vjetëve, por fusha e BNj zhvillohet në mënyrë konstante”, ka treguar ajo.
Ajo ka theksuar tutje se duhet të qëndroni kurioz, të vëmendshëm se çfarë po ndodhë, cilat janë trendet e reja pasi që kjo i ka shërbyer si një çelës i suksesit. Po ashtu ka shtuar që vizibiliteti është shumë i rëndësishëm.
“ Të mos mendoni që keni një ekspertizë, por që në mënyrë konstante të mësoni dhe ta sfidoni dhe veten dhe të jeni të dukshëm! Kjo është diçka që mungon jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet evropiane. Kur je duke punuar në Burime Njerëzore, gjithmonë kur ka probleme mendojnë që fajin e kanë Burimet Njerëzore, por kur ecin punët mirë kurrë nuk thonë kjo ka qenë merita e Burimeve Njerëzore andaj duhet të jemi më të dukshëm dhe duhet të lobojmë më shumë për rolin në kompani sepse është një rol që ka një impakt shumë të madh për motivimin e personelit. Andaj duhet vetë të lobojmë për të treguar që e kemi edhe ne atë lobimin që e kemi funksionin shumë interesant në organizatë” , ka përfunduar ajo.
Kaltrina vazhdon të mbetet e lidhur me Kosovën duke e përcjellur komunitetin e HR-it këtu dhe për “PowerToHR” thotë se i plotëson të gjitha kriteret e një samiti evropian të kësaj fushe.
“Unë punoj jashtë Kosove, por në mënyrë konstante mundohem të jem e lidhur me tregun kosovar, sidomos me Burimet Njerëzore është një profesion që e kam pasion dhe gjithmonë kam qenë kurioze ta di se si po zhvillohet lamia e Burimeve Njerëzore dhe mund të them që këto 5 vjet e fundit është zhvilluar dukshëm, kështu që e kam pasur një ndjenjë shumë pozitive prej momentit që kam kontaktuar me Arionin, Aleksin dhe ekipën organizative deri më sot, ku më të vërtetë e pash një dinamikë një atmosferë shumë pozitive, ju përgëzoj për organizimin pasi që mendoj se organizimi i këtij samiti është në organizimin e samiteve në nivel të Evropës”, ka përfunduar ajo./ AkademiPune