IPKO është kompani telekomunikacioni, e themeluar në vitin 1999 dhe njihet si kompania me rritjen më të shpejtë në Evropë. Nga ofruesi i parë i internetit në mbarë Kosovën, IPKO është kthyer në një ndërmarrje moderne që ofron një mori shërbimesh dhe përmbajtjesh të integruara në komunikime mobile, telefoni fikse, televizion kabllor digjital, internet dhe media. IPKO përveç shërbimeve të shpejta dhe te sakta për klientët është një kompani që i kushton mjaft rëndësi edhe fushës së Burimeve Njerëzore në forma të ndryshme. Dedikimi në këtë fushë është dëshmuar edhe me përkrahjen e eventit më të madh të BNj në Kosovë, “PowerToHR 2”, i cili u organizua për të dytin vit nga KosovaJob.
“Ky edicion si zakonisht është i shkëlqyer, vjet ka qenë shumë mirë sivjet është perfekt. Më vjen shumë mirë që jam këtu dhe më vjen shumë mirë njëkohësisht që vendosem të jemi partner sivjet”, ishte shprehur Arta Koka-Grubi – udhëheqëse e Departamentit të BNj në kompaninë IPKO.
Ajo vitin 2023 ka qenë një nga folëset e panelit ku është diskutuar rreth temës “Si të krijohen strategji të mira të rekrutimit që i tërheqin njerëzit në kohën digjitale”. Arta Koka-Grubi ka përvojë mbi 20-vjeçare në fushës e menaxhimit dhe ka publikuar nëpër gazeta të njohura sa i përket fushës së Burimeve Njerëzore. Ajo është shprehur se bashkëpunimi me “PowerToHR” ka qenë më së i mirëpritur në IPKO bazuar në eksperiencën e vitit të kaluar.
“Momenti kur Arioni (Udhëheqësi dhe themeluesi i KosovaJob) na ka ftuar dhe na ka thënë që është i gatshëm të na ofrojë një partneritet, unë u gëzova shumë se herën e parë e kam parë që sa shumë ekspertë prej kompanive të ndryshme botërore. Kam menduar që është shumë mirë që jemi edhe ne partner pasi që po sjell ide dhe eksperienca të reja, jo vetëm të personave që janë pjesë e Burimeve Njerëzore por po sjellin edhe ndihmë të madhe bizneseve në Kosovë se si t’i menaxhojnë punëtorët gjatë periudhave të ndryshme kohore”, është shprehur ajo.
Sipas Artës krahas ofrimit të shërbimeve më të mira në treg për klientët, ata gjithnjë mundohen të investojnë poaq edhe në ngritjen e stafit brenda kompanisë pasi që këto të dyja janë të lidhura direkt me njëra-tjetrën.
“Misioni ynë është i qartë. Ne mundohemi gjithmonë të ofrojmë shërbime sa më të mira për klientë. Ky është misioni të cilin jemi duke e ndjekur gjatë gjithë kohës, por në këtë rast kemi investime shumë të mëdha si në 5G dhe Fibrat Optik dhe njëkohësisht kemi bërë investime shumë të mëdha edhe në ngritjen e kapaciteteve të punëtorëve brenda në kompani që në këtë rast me këto ngritje besoj që do tu sjellim shërbime të mira gjithmonë klientëve tanë”, ka theksuar ajo.
89% e drejtuesve të njësive janë punësuar duke u promovuar nga brenda kompanisë
71% e stafit është në IPKO përfshin grupmoshën 21-40 vjeç dhe më shumë se 60% e stafit është në IPKO për 10+ vite. Indeksi i anketës së kësaj kompanie tregon se ka punonjës të aftë dhe të fuqizuar për të kryer punën e tyre. Vlerësimet e bëra nëpërmjet anketës brenda në këtë kompani kanë qenë një mënyrë për të adresuar shumë çështje dhe për t’iu përshtatur aty.
“Çdo vit realizojmë “anketa” në fund të vitit dhe shohim se cilat janë problemet të cilat kompania i ka dhe në bazë të problemeve që i sjellin punonjësit në pah, ne e krijojmë një formulë. Kështu që sivjet formula jonë është më shumë e fokusuar në mirëqenien e punonjësve ku në këtë rast po mundohemi të sjellim diçka të re e cila për momentin nuk është në kompani të tjera. Njëkohësisht një formulë tjetër të cilën ne e ndjekim është se po fokusohemi në Data HR dhe çdo vëmendje që marrin nga të dhënat e Burimeve Njerëzore mundohemi t’i zhvillojmë në politika apo strategji të ndryshme të Burimeve Njerëzore”, ka shpjeguar ajo.
89% e drejtuesve të njësive janë punësuar duke u promovuar nga brenda kompanisë. IPKO zhvillimin e saj po e mbështetë duke integruar talentë të rinj dhe duke mbështetur dhe promovuar ata që e kanë ndërtuar karrierën e tyre në këtë kompani.
“Deri vitin e kaluar jemi munduar që të jemi sa më prezent në treg që të sjellim talentë të rinj në kompani e që kemi sjell mjaft. IPKO është mbushur me praktikantë ku rreth 70% e tyre kanë mbetur në kompani. Sivjet kemi filluar ta ndryshojmë këtë strategji dhe mundohemi që talentet që kemi brenda t’i mbajmë sa më gjatë dhe të ecim përpara. Kjo ndoshta është një shembull të cilin mund ta japim. Rreth 90 % të personave që kanë ardhur si punonjës tashmë janë menaxherë apo drejtues të departamenteve kështu që kjo është strategjia sivjet që ka qenë e ndikuar nga pyetësorët e punonjësve”, ka treguar ajo. /AkademiPune