Intervista, Power To HR, Uncategorized

Albina Metaj-Ajvazi nga “ProCredit Bank”: Nga eksperienca e kaluar, pa hezitim e kemi përkrahur “PowerToHR”

ProCredit Bank Kosova këtë vit ka qenë sponsor gjeneral i eventit më të madh të Burimeve Njerëzore në vend, “PowerToHR 2”, i cili mblodhi 374 pjesëmarrës në një vend duke zbërthyer tema të përditshme të fushës së rekrutimit e deri te sfidat që po vijnë me Inteligjencën Artificiale.

Albina Metaj-Ajvazi – Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve në “ProCredit Bank” në Kosovë ka qenë pjesë e paneleve diskutuese në edicionin e parë të “PowerToHR”. Sipas saj suksesi i organizimit të edicionit të parë i ka bërë që pa hezitim ta përkrahin edicionin e dytë të tij.

“Kënaqësi gjithmonë me qenë në mesin e njerëzve të fushës së HR-it, gjithsesi e kemi vlerësuar shumë që dikush më në fund e ka marrë një iniciativë të bëj evente të tilla. Sivjet pa hezitim kemi dashur ta përkrahim marrë parasysh eksperiencën e vitit të kaluar, njohjen më njerëz (rrjetëzimin) dhe mundësinë për t’i treguar edhe publikut atë çfarë bëjmë ne jo vetëm për klientë, por edhe si punëdhënës. Kënaqësi gjithmonë me qenë afër jush!”, është shprehur ajo.

Si bëhet zhvillimi i profesionistëve të rinj brenda “ProCredit Bank”?

Albina Metaj-Ajvazi numëron mbi 16 vjet përvojë në këtë institucion bankar dhe thekson se pjesa e saj më e dashur është rekrutimit për shkak të programeve të cilat ekzistojnë ndër vite, programeve integruese të cilave u kushtojmë rëndësi të veçantë dhe për faktin që funksionojnë në nivel të grupit. Ajo ka treguar edhe për programin “onboarding” për integrimin e kolegëve të rinj dhe zhvillimin e tyre brenda kompanisë.

“Prej vitit 2011 ekziston programi “onboarding” që është kryesisht për integrim të kolegëve të rinj dhe i është i dedikuar talentëve të rinj të cilët nuk kanë përvojë, por kanë një bazë të mirë të shkollimit dhe janë kërkues te një punëdhënës që investon në ta realisht. Është një program 6-mujor që mbahet në nivel internacional përmes të cilit i rekrutojmë dhe zhvillojmë gradualisht kolegët e rinj në fusha në të cilat ata e gjejnë veten më së miri duke i njohur gjatë programit aftësitë, shkathtësitë dhe aspektet teknike të punës kështu që për dy-tre vjet ata bëhen profesionistë shumë të fuqishëm dhe realisht meqë ka pasur shumë sukses është mënyrë kryesore për ne e rekrutimit”, ka treguar ajo.

Albina ka treguar se kjo është më e lehtë pasi që në bankë ka shumë kolegë që numërojnë më shumë se 10 vjet përvojë pune brenda bankës. Ajo ka theksuar se mesatarja e përvojës së punës në bankë është mbi 10 dhe kjo është absolutisht për tu veçuar. “Kështu që këtë pjesën e rekrutimit të të rinjve e bëjmë me shumë qef sepse nuk kemi shumë kolegë që duan ta lëshojnë bankën sepse është mënyrë më e ngadalshme dhe më e fokusuar që kemi edhe resurse edhe hapësirë dhe kohë t’i dedikohemi më lehtë stafit të ri që të bëhën profesionistë të mirë të fushës”, ka treguar ajo.

Impakti, mishërimi me institucionin përtej relacionit punëdhënës-punëtor

Sipas saj fakti që punonjësit qëndrojnë gjatë në “ProCredit Bank” lidhet me kulturën e punës dhe mundësinë për tu zhvilluar vazhdimisht. Profesionalizmi dhe kolegjialiteti sipas saj janë dy shtylla kryesore që e krijojnë një ambient pozitiv pune.

“Unë mendoj që njerëzit nuk e kërkojnë një vend pune vetëm për një pagë, ajo çfarë na karakterizon e them me përgjegjësi (pasi që siç e ceka jam gjatë me HR-in, me bankën) është se ProCreditin nuk e shohim vetëm si një vend pune, për fat të mirë të jep shumë hapësirë për tu zhvilluar, të ndihesh se po vjen në një ambient pune ku realisht kalon shumë mirë me kolegë,  të kuptojnë dhe secili merr përgjegjësi për punët e tij. Është e lehtë për të funksionuar në një ambient ku njerëzit janë shumë të përgatitur dhe bashkëpunues”, ka theksuar ajo.

Sipas Albinës, “ProCredit Bank” përveçse është një punëdhënës ju jep njerëzve një synim dhe kontribuon në kauza të rëndësishme për shoqërinë.

“Mendoj që është shumë me rëndësi edhe kontributi që jep në shoqëri. ProCrediti ka një mision që është i njohur në botë që jep për mjedisin përmes klienteles, aksioneve direkte, aktiviteteve të stafit dhe shoqërisë. Kështu që vetë fakti që shohim dhe po japim kontribut qoftë duke punësuar të rinj, duke investuar në ta vazhdimisht, qoftë me aktivitete biznesore ne japim një kontribut të madh në vendin ku jetojmë dhe ajo është një statisfaksion shumë i madh”, ka thënë ajo.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *