Intervista, Power To HR

Elida Motro-Iljazi solli një perspektivë të veçantë për CEO-t në “PowerToHR 2”

Përvoja e saj e pasur dhe ekspertiza në drejtimin e kompanisë së saj që operon globalisht, EMI – Coaching and Consulting (një kompani e angazhuar për të përmirësuar performancën e individëve dhe ekipeve në tregun e punës në Shqipëri dhe jashtë sa) e bëjnë Elida Motro-Iljazin një figurë të shquar në fushën e Burimeve Njerëzore. Ajo ndau gjithë ekspertizën e saj edhe në edicionin e dytë të samitit të Burimeve Njerëzore “PowerToHR” që u organizua për të dytin vit me radhë nga platforma #1 e punësimit në vend, KosovaJob.

Ajo ka mbi dy dekada përvojë në mësimdhënie universitare dhe drejtim të projekteve të rëndësishme fushën e zhvillimit strategjik të menaxhmentit të lartë, zhvillimit të personelit dhe përmes programeve të veçanta të BNj, për të rritur produktivitetin e matricës së kthimit të investimit në asetin njerëzor përmes zhvillimit te aftësive, mbajtjes së stafit, të komunikimit dhe të zhvillimit tërësor përmes diversitetit të fuqisë punëtore. Ajo në një intervistë përgjatë “PowerToHR” ka theksuar se CEO-t (udhëheqësit) në Kosovë e Shqipëri shpesh ndihen të sfiduar nga shumë aspekte të shoqërisë.
“Është një e vërtetë dhe do ta them se s’bën, fatkeqësisht ne në rajon fatkeqësisht CEO-t nuk i duam dhe nuk i llastojmë sa e bëjnë ata në botë. Pak a shumë, nëse do e thosha me shaka është se një CEO, dikush që është bërë i suksesshëm këtu, shumë kollaj do të mund të ikte për ta bërë diku tjetër biznesin e vet dhe ajo që ne shpeshherë e bëjmë, në vend se ta shikojmë këtë sukses dhe të kem mundësi ta nxisim për më tej është se ne shpeshherë biem në këtë xhelozitë e Ballkanit (duke thënë se epo ai bën lekë nëpërmjet nesh, e po edhe unë mund ta bëja këtë gjë, por si i ka bërë lekët a i ka bërë me punë të mira) dhe në fakt ajo që ne shpesh hedhim poshtë janë ca mundësi për zgjerim dhe hapje vende pune për të pasur sa më shumë një kulturë dhe një identitet i cili është i shkëlqyer në kujdesin që ne kemi për njerëzit me të cilët punojmë”, ka thënë ajo përgjatë intervistës.

Elida ka theksuar se udhëheqësit në vend shpesh mund të ndihen të dekurajuar dhe të shohin opsione për ta zhvilluar vizionin e tyre diku tjetër. Ky është aspekti i vetëm, sipas saj që i bën të dallohen nga udhëheqësit botëror.
“Dhe këta njerëz shpeshherë gjenden të luftuar nga shteti, tatimet, por dhe nga poshtë, nga njerëzit dhe shumë lehtë mund të thonë pse ta bëj këtë këtu me kaq shumë vështirësi kur mund ta bëj në botë, ku kam lehtësira të tjera. Nga ana tjetër nuk mendoj që ka ndonjë ndryshim tjetër, sfidat që ka një CEO janë pothuajse të njëjta. Sfidat nuk kanë të bëjnë më me revolucionet, nuk ka më revolucion teknologjik, gjërat janë vënë në vend me hapjen e AI që kam idenë që shumë gjëra janë vënë në vend, por nuk presim revolucione që janë shpërthyese apo ndryshuese. Tani lufta bëhet nëpërmjet kompanive duke vënë në efektivitet të plotë fuqinë punëtore qoftë atë me aftësi më të larta apo më të ulta”, është shprehur tutje ajo.

Elida Motro-Iljazi: Nuk është kollaj të hapësh gjëra të reja në Ballkan

Ajo është një ligjëruese dinamike publike dhe ka folur në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për çështje të menaxhimit të biznesit dhe burimeve njerëzore. Ajo përgjatë intervistës ka theksuar se duhet të vlerësojmë më shumë meritën, në mënyrë që t’i ngrisim udhëheqësit vendor që të kemi disa shembuj suksesi që mund t’i ndjekim dhe të cilët dëshmojnë se mund t’ia dalësh në vendin tënd.
“E parë çfarë ne duhet të fillojmë të mendojmë është të vlerësojmë meritën. Këta persona që kanë arritur në një shkallë të tillë suksesi, e kanë merituar. Nuk është aq kollaj të hapesh gjëra të reja në një tokë të ngrirë siç është Ballkani, është shumë e vështirë qoftë për shkak të ekosistemit, qoftë për zonat gri ku mund të kapen dhe gjithë sistemi ligjor në disa gjëra ka mbetur gri apo për shkak të mosnjohjes që janë mundësitë për shkelje. Ne duhet të përkujdesemi dhe tu japim më shumë hapësirë këtyre njerëzve. Të kuptoni që shpesh herë kur këta njerëz vijnë te unë, janë totalisht të rraskapitur. Janë njerëz që mendojnë gjithë ditën për punën e tyre dhe harrojnë që mund të kenë kujdesin për veten e tyre, kujdesin për familjen, por unë mendoj që gjëja më e mirë që mund të bëjmë është t’i vëmë në dritat e skenës dhe të themi nga këta mund të mësojmë”, ka thënë ajo. / PowerToHR

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *